Kryeministri i vendit Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj se edhe sa kohë do të paguhen shpenzimet e energjisë elektrike në veri, ka bërë të ditur se së shpejti do të fillojë faturimi i energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Sipas kryeministrit Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për ta plotësuar rekomandimin e fundit të Kuvendit për këtë çështje, d.m.th. futjen e konsumatorëve në katër komunat veriore të vendit në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, me qëllimin përfundimtar që këta konsumatorë të trajtohen barabarë me të gjithë konsumatorët e tjerë dhe ta paguajnë energjinë elektrike që e shpenzojnë, e që do të ndodhë për herë të parë pas 22 vitesh, ka thënë ai.

Ndërsa ka theksuar se për këtë çështje, janë duke bashkëpunuar me palët relevante si ZRRE-ja, BE-ja dhe partnerë të tjerë.

I pyetur sërish nga deputetja Kadrijaj se kur saktësisht do të fillojë faturimi, kryeministri tha se sa më shpejt do të vijë dita që të fillojë faturimi edhe në veri.

Kryeministri shtoi se pati pasaktësi në konstatimet e deputetes gjatë pyetjeve  dhe lidhur me këtë tha “Besoj që është mirë të qartësohen disa fakte… Në pyetjen tuaj, të cilën e kam me shkrim, keni deklaruar që është votuar për të paguar 11 milionë euro për ta paguar rrymën. Komisioni nuk ka caktuar ndonjë shifër.. Në kohë fushate… Edhe kjo është e pasaktë. Qeveria e Kosovës nuk ka paguar as një euro për energjinë e shpenzuar në veri. KOSTT-i ka vazhduar që t’i mbulojë devijimet e energjisë elektrike në këto katër komuna”.

Kryeministri tha se kur kanë ardhur në pushtet, e kanë vërtetuar se kanë pasur të drejtë në kritikat e adresuara sa ishte LVV-ja në opozitë.

“Është e vërtetë që ne kemi qenë kritikë kur kemi qenë në opozitë, prandaj sot e kemi trashëguar një gjendje e cila na e ka dëshmuar që kemi pasur të drejtë. Po ta kishim trashëguar një gjendje e cila do të ishte e mirë, nuk ishim duke e bërë këtë diskutim fare. Janë bërë shumë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel, pasojat e të cilave po i vuajmë tani”, tha Kurti.

By H P

Leave a Reply

Your email address will not be published.