Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar mbledhjen e saj të 39-të, në të cilën ndër të tjera ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.

Përgjatë mbledhjes, qeveria ka miratuar shtatë (7) projektligje:

  1. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Evropiane për Investime për Financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj Pandemisë” COVID-19 për NVM-të”. Marrëveshja siguron kredinë në vlerë prej 40 milionë euro.
  2. Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-089 për deminim humanitar. Dispozitat e këtij ligji janë të obligueshme për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që trajtohen në kuadër të këtij ligji dhe ligjit bazik për veprimtaritë që kanë të bëjnë me fushën e deminimit humanitar.
  3. Projektligji për Patentat i cili përcakton kushtet, procedurat për regjistrimin e patentës, si dhe të drejtat që rrjedhin nga regjistrimi dhe zbatimi i këtyre të drejtave.
  4. Projektligji për Dizajnin Industrial, me anë të cilit përcaktohen kushtet dhe procedurat për dizajnin industrial, si dhe të drejtat që rrjedhin nga regjistrimi, masat, procedurat dhe mjetet për zbatimin e të drejtave dhe Dizajnit Komunitar.
  5. Projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili përcakton rregullat dhe masat për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, kompetencat dhe organizimin e Autoritetit të Konkurrencës, si dhe procedurat për zbatimin e këtij ligji.
  6. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-074 për Shërbime Këshilluese për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si pjesë e procesit të thjeshtimit, bashkimit ose eliminimit të lejeve dhe licencave në kuadër të programit për zvogëlimin e barrës administrative.
  7. Projektligjin për ratifikimin e “Amandamentimit Nr. 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje siguron shfrytëzimin e mjeteve në vlerë prej 1.5 milion eurove.

Më tej, Qeveria ka aprovuar Strategjinë Shtetërore për Migrim 2021-2025 dhe Plani i Veprimit 2021-2023. Koordinator Nacional për Strategjinë Shtetërore për Migrim caktohet Ministri i Punëve të Brendshme, i cili këtë përgjegjësi mund ta delegojë te njëri nga zëvendësministrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Strategjia identifikon katër (4) objektiva kryesor:

  1. Menaxhimi i migrimit të rregullt;
  2. Garantimi i migrimit të sigurt, të organizuar dhe të rregullt;
  3. Menaxhimi i migrimit të brendshëm;
  4. Avancimi në fushën e menaxhimit të migrimit dhe sistemit për mbrojtje ndërkombëtare

Me propozimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal është miratuar Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave. Rregullorja përcakton procedurat për shqyrtimin dhe vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të komunave, obligimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ministrive të linjës dhe institucioneve tjera përgjegjëse në këtë proces.

Miratimin e Qeverisë e ka marr edhe Plani Vjetor i Statistikave Zyrtare për vitin 2022. Objektiv kryesor është krijimi i sistemit të qëndrueshëm statistikor, zgjerimi i prodhimit me hulumtime te reja si dhe përmirësimin e cilësisë së statistikave zyrtare në përputhje me metodologjinë ndërkombëtare. Objektivat në plani vjetor të punës për vitin 2022 burojnë nga programi 5 vjeçar për statistikat zyrtare.

Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marr edhe Plani i Veprimit i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për zbatimin e rekomandimeve të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2020. Vendimi obligon të gjitha organizatat buxhetore që të zbatojnë këtë plan. Niveli i zbatimit do të monitorohet nga një mekanizëm i cili caktohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në koordinim dhe mbështetja nga Zyra e Kryeministrit.

Qeveria miratuar edhe Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovës 2020. Raport përfshin të dhëna mbi gjendjen e mjedisit dhe ndryshimit në mjedis në krahasim me raportin e mëparshëm, presionet në mjedis, ndikimet mjedisore në shëndetin e popullatës, gjendjen e mjediseve të rrezikuara, zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit, masat e ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit, funksionimin e institucioneve mjedisore si dhe financimin e sistemit për mbrojtjen e mjedisit.

Një vendim përfundimtar për shpronësim për interes publik të strukturave, kulturave bujqësore dhe investimeve në prona të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë në zonat kadastrale të komunës së Vushtrrisë, është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Edhe dy vendime tjera për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesave për shpronësim për interes publik janë miratuar gjithashtu. Vendimi i parë për pronat të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës ekzistuese në fshatin Bajgorë dhe tjetri për pronat të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatimin e thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike në fshatrat Hade, Shipitullë, Palaj, Leshkoshiq dhe Sibovc në Komunën e Obiliqit.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për negocimin/ri negocimin e kontratave për furnizim me vaksina anti-Covid-19. Qëllimi i ri negocimit të marrëveshjes është sigurimi i vaksinave për gjithë popullatën e Republikës së Kosovës si dhe fakti që marrëveshja aktuale skadon në fund të këtij viti. Edhe vendimi për themelimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, është ndryshuar duke emëruar në krye të këtij Komiteti znj. Dafina Gexha Bunjaku në vend të z. Arben Vitia.

Me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria ka miratuar vendimin me të cilin znj. Majlinda Kelmendit i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për kontributin e dhënë në promovimin e sportit të xhudos në arenën vendore dhe ndërkombëtare. Majlinda Kelmendi do të gëzojë të drejtën e marrjes së pagës mujore në vlerë 1,321.32 euro në muaj.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për t’i kërkuar Presidentes së Republikës dhënien e autorizimit për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Programin Fulbright. Ky Memorandum ka për qëllim të forcojë dhe zhvillojë lidhjet midis pjesëmarrësve në procesin e zbatimit të Programit të shkëmbimit akademik Fulbright në arsim, shkencë dhe kërkime të bazuara që konsiderohen reciprokisht të dobishme

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit Ministror për Skemën e Garantuar për të rinjtë, në përbërje:

  1. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve;
  2. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
  3. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
  4. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; dhe
  5. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ky Komision është mekanizëm i cili mbikëqyrë dhe monitoron institucionet në implementimin e Skemës së Garantuar për të Rinjtë në përputhje me udhëzimet e Bashkimit Evropian.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për ndarjen e treqind e pesëdhjetë mijë euro (350,000.00 euro) për bashkëfinancim të projekteve me UN-Habitat, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtare për Zhvillim, për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Me vendime të veçanta janë aprovuar edhe nismat për marrëveshje ndërkombëtare:

– Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Zhvillimi i Ujërave të Zeza në Mitrovicë”;

– Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Zhvillimi i Ujërave të Zeza në Mitrovicë”;

– Nisma për negocimin e Amandamentimit Nr.2 të Marrëveshjes së Grantit në ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit evropian për projektin ‘Kontributin e BE-së për disponueshmërin dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë”;

– Nisma për negocimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa Kreative”, program i Bashkimit Evropian për sektorët kulturor dhe kreativ, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian;

– Nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare trepalëshe ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Malit të Zi për vitin 2020, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas shqyrtimit, është aprovuar plotësimi dhe ndryshimi i vendimit për emërimin e Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh.A.. Zonja Hyrmet Mydyti është emëruar kryesuese e bordit ndërsa z. Avdi Gjonbalaj anëtar i këtij bordi. Ky plotësim dhe ndryshim i vendimit bëhet për shkak të dorëheqjes për arsye personale të znj. Hajrije Morina nga pozita e kryesueses së Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenci” Sh.A..

Qeveria me vendime të veçanta ka emëruar bordet e përkohshme në:

– Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. në Prizren:

  1. Arbëror Prekazi – kryesues;
  2. Nurten Sktash-Beden – anëtare;
  3. Seat Bilibani – anëtar;
  4. Saxhide Mustafa – anëtare.

– Ndërmarrja Publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” Sh.A., Ferizaj:

  1. Shpend Gjugja – kryesues;
  2. Kujtesa Mashkulli-Ahmeti – anëtare;
  3. Venera Ajeti – anëtare;
  4. Naim Rexhaj – anëtar.

– Gjithashtu me një vendim të veçantë është shkarkuar Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”Sh.A. në Pejë. Shkarkimi ka ndodhur për shkak të dështimit të kontrollit të cilësisë së ujit të pijes, që është konstatuar edhe në raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Autoritetit Rregullator të Ujërave. Qeveria ka emëruar bordin e ri në përbërje:

  1. Bajram Mustafa – kryesues;
  2. Zamire Deçani-Beqiri – anëtare;
  3. Luljeta Krekaj-Lutfiu – anëtare;
  4. Abedin Neziraj – anëtar.

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka anuluar vendimin Nr.13/59 të datës 21 janar 2021, të cilin e ka vlerësuar si të jashtëligjshëm.

By H P

Leave a Reply

Your email address will not be published.