Për aksionin e sotëm të realizuar nga Policia e Kosovës në nivel vendi e që kishte për qëllim luftimin e kontrabandës me mallra, ka reaguar me kritika ndaj qeverisë Partia Social Demokrate.

Sipas PSD ky aksion i Policisë u bë me gjasë për shkak të zgjedhjeve sepse sipas tyre intervenimi në veri është ndër ato momentet ku koha (periudha) e përzgjedhur për veprim i jep shpjegim dhe kuptim ndërhyrjes.

Në reagim thuhet se me këto veprime për “rend dhe ligj” po skicohet një pamje e rrejshme që thotë se atje janë disa grupe kriminale që për qëllime përfitimi e pasurimi, po cënojnë shtetin.

Reagimi i PSD-së:

Çka e dërgoi sot Njësitin Special të Kosovës në veri? Cila urgjencë? Cila marrëveshje? Cili afat a datë në skadim? Me gjasë vetëm data e zgjedhjeve. Intervenimi në veri është ndër ato momentet ku koha (periudha) e përzgjedhur për veprim i jep shpjegim dhe kuptim ndërhyrjes. Si për ta vërtetuar frazën që thotë se “fundi rikuptimson fillimin”, intervenimi sot zhveshi arsyet e intervenimit dje (për targat).

Aksioni në veri zhveshi cipën argumentative që kishte mbështjellur aksionin për targat. U tha se po bëhej në kuadër të subjektivimit të Kosovës. E nuk kaluan as edhe tri javë dhe kjo temë u përplas në tavolinë bisedimesh, duke pranuar prapakthim në marrëveshje e rezoluta të cilat kishin filluar të zbeheshin dhe të cilave iu kishte ikur koha. Kurti ktheu akrepin e orës në funksion të brendshëm zgjedhor. Por këto veprime të paramenduara, kanë një logjikë të brendshme që dërgojnë në disa konsekuenca politike përtej efektit elektoral.

Më këto veprime për “rend dhe ligj” po skicohet një pamje e rrejshme që thotë se atje janë disa grupe kriminale që për qëllime përfitimi e pasurimi, po cënojnë shtetin. Sipas kësaj qasjeje, veriu para se të jetë problem politik është problem i një natyre egoiste, për pak më shumë pushtet e para, e organizuar në grupe kriminale.

Kryeministër, e kundërta është e vërtetë. Problemi i veriut është çështje politike. Zhveshja e problemit nga aspekti politik, e amneston Serbinë. Për më tepër, depolitizimi i çështjes, e depolitizon edhe qytetarin atje dhe çdo reagim e kritikë ndaj Qeverisë. Intervenimi bëhet pa pikë ndjeshmërie, kohë pa kohë. Pretendimi i trajtimit të veriut si të barabartë me pjesën tjetër të territorit është tendencioz dhe dashakeq. Mohimi i realitetit atje e thellon edhe më tej problemin.

Keqpërdorimi i policisë dhe resurseve të vendit, ngutia e nisjes me skemat sociale, premtimet qeveritare për temat lokale, largimi me urgjencë i pagesës për semestër në Universitet, plotësojnë tablon e aksionit policore në veri. Dhe mos të kemi frikë ta themi, qasja ndaj veriut nuk është për mbrojtje të territorit, por në funksion të rritjes territorial të liderit populist. Shënjuesi antikorrupsion ka limitet e veta, ndërsa pasojat nga këto veprime janë fatale dhe përjetësojnë krizën. Mbase sepse liderët autoritar fuqizohen vetëm nëpër kriza.

By H P

One thought on “PSD- së nuk i pëlqen aksioni i sotëm i policisë, thonë se me këto veprime për “rend dhe ligj” po skicohet një pamje e rrejshme”

Leave a Reply

Your email address will not be published.