Në komunën e Lipjanit janë rritur kërkesat e qytetarëve për teste rapide.

Brenda ditës në Qendrat e Mjekësisë Familjare në këtë komunë po bëhen deri në 200 këso lloj testesh. Ndërsa, edhe interesimi për vaksinim kundër COVID-19 është mjaft i madh dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 26 mijë qytetarë.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi, i cili tha se gjendja momentale me pacientë në këtë QKMF është e menaxhueshme.

Ai thotë se në repartin ku po marrin terapi pacientët e infektuar me koronavirus janë në dispozicion 8 shtretër.

“Gjendja momentale në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan është duke shkuar mirë dhe duke u menaxhuar për arsye se kemi hapësira deri tani të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve me COVID.

Momentalisht kemi në dispozicion 8 shtretër, ku fluksi i pacientëve ka filluar gradualisht të bie dhe pritja është më e vogël për të marrë trajtim. Mirëpo, ky shërbim funksionon deri në orët e vona pas mesnatës deri në orën 02:00 për arsye se pacientët kanë të përshkruar terapi paranterale edhe tri herë në ditë… Kapacitetet që i kemi në dispozicion janë të mjaftueshme për këtë fluks sa është deri tani, theksoi Krasniqi.

Krasniqi thotë se shpërthimi i variantit ngjitës delta edhe në Kosovë ka rritur kërkesat e qytetarëve për teste rapide, të cilat janë shpërndarë tashmë në të gjitha QMF-të e kësaj komune, sipas kp.

Edhe në komunën e Lipjanit thonë se procesi i vaksinimit po shkon mirë. Deri më tani janë vaksinuar mbi 26 mijë lipjanas, derisa brenda ditës në qendrën e vaksinimit në këtë komunë po imunizohen deri në 900 persona.

Në bazë të raportit që sot pranova nga shefi i vaksinimit, deri tani janë vaksinuar 26 mijë e 186 qytetarë. Është një numër relativisht i ngjashëm në Kosovë që sillet karshi numrit të banorëve… Interesimi për vaksinim i qytetarëve është shumë i mirë. Një kohë nuk ka qenë i mundshëm të bëhet apo kështu kemi marrë informata nga qytetarët se ka qenë i vështirë qasja për të bërë terminë… Sipas normës, diku 800-900 vaksina administrohen brenda ditës që janë me terminë të plota, por pasi ka pasur numër të vogël të terminëve, ka qenë numër më i vogël i të vaksinuarve, u shpreh drejtori i QKMF-së në Lipjan./meKryeministrin.info/

By A. P.

Leave a Reply

Your email address will not be published.