Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani ku po qëndron me ftesë të presidentit Frank-Walter Steinmeier është pritur me nderimet më të larta shtetërore.

Në takim me homologun Steinmeier, Presidentja Osmani e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme dhe është angazhuar për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Presidentja ka theksuars se Kosova ka nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Po ashtu ajo ka potencuar se Kosova përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Prandaj ka thënë se  presin mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”.

Duke folur për procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë proces si shtysë të fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa lidhur me dialogun në mes të Republikës së Kosovës me Serbinë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.

Në takim me presidentin  Steinmeier, Presidentja Osmani ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman.  Më tej, znj.Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.

Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova.

Presidentja Osmani dje ka takuar edhe përfaqësues të mërgatës gjë të cilën e ka konfirmuar vet Osmani përmes një postimi në rrjete sociale “Mërgata jonë janë shtylla e shtetit tonë. Ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë sonte për ecjen përpara dhe zhvillimin e vendit tonë”.

Ndërsa sot Presidentja Osmani pritet të takohet me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas si dhe përfaqësues akademik dhe nga shoqëria civile  ku do të shkëmbehen pikëpamje lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe marrëdhëniet në mes dy shteteve.

By H P

Leave a Reply

Your email address will not be published.