Miroslav Lajçak- Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor pritet të arrijë sot për një vizitë treditore në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite Lajçak do të diskutojë gjendjen e zbatimit të marrëveshjes së dialogut dhe rrugën përpara në negociatat për marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Ai do të takohet me udhëheqës politikë, parlamentarë, komunitetin ndërkombëtar, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe mediave, si dhe të rinj.

Kjo vizitë e Lajçak në Kosovë vjen vetëm pak ditë pas raundit të ri të bisedimeve që u zhvilluan në Bruksel në nivel të ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, ku pas përfundimit të takimit trepalësh (Kosovë-Serbi-BE) më 8 shtator, Lajçak pati deklaruar se nuk ka përafrim të qëndrimeve nga ana e palëve.

Çështja e të zhdukurve me dhunë ishte tema e vetme e diskutimit më 8 shtator në takimin trelateral ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE për dialogun, Miroslav Lajçak.
Zëvendëskryeministri Bislimi kishte kërkuar që t’i jepet prioritet çështjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë, si një temë me rëndësi të madhe që kërkon afat kohor sa më të hershëm, duke intensifikuar përpjekjet për gjetjen e tyre përmes të gjitha mekanizmave në vend, përfshirë edhe hapjen e plotë të arkivave të Serbisë që përmbajnë informata rreth kësaj teme.

By H P

One thought on “Miroslav Lajçak sot viziton Kosovën”

Leave a Reply

Your email address will not be published.