Sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nderoi  Profesor Rexhep Qosjen, me yllin e mirënjohjes publike, me një simbol shumë domethënës për historinë kombëtare.

Në fjalimin e tij Profesor Qosja tha se Kryeministri Edi Rama është njëri prej politikanëve më të suksesshëm të Shqipëri në këto 30 vitet e fundit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, i cili ka sjellë risi, fryte, zhvillime të reja në jetën politike, shoqërore, kombëtare shqiptare.

Qosja tha se ndjehet i nderuar që ky nderim i veçantë I’u bë pas takimit të dy delegacioneve, atij të Shqipërisë me në krye Edi Ramën, dhe atij të Kosovës, me në krye Albin Kurtin.

Ai foli për të dy kryeministrat. Për Edi Ramën tha se është politikan dhe profesor, ndërsa për Albin Kurti tha se është politikan dhe intelektual krijues. Ai shtoi se Albin Kurti është një prej intelektualeve, që është çmuar në një cilësi të veçantë. Qosja tha se duhet ta dëgjojmë kur paraqitet në televizione, në tubime të ndryshme, duhet t’i dëgjojmë deklaratat dhe intervistat e tij, për ta parë dhe për t’u bindur që ka një kujtesë të jashtëzakonshme, në të cilën janë mbledhur të dhëna, shumë të dhëna, sa në një bibliotekë, mbi historitë e Evropës, SHBA, popujve e kontinenteve të tjera, të dhëna mbi gjeografinë, mbi arte të ndryshme, mbi filozofinë. Prej fjalëve të tij mund të mësohet, tha Profesor Qosja.

Ai për Edi Ramën dhe Albin Kurtin  tha se janë dy politikanë intelektualë, natyrisht të çmuar prej popullit, dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit, në të cilat pjesa më e madhe e popullit ua dha votën, ua dha besimin.

Qosja potencoi se takimi i sotëm i dy delegacioneve i solli shumë gëzim sepse është një takim shumë premtues.

Ai dha edhe këto këshilla për të dy kryeministrat shqiptar:

“ Unë i lejoj vetes, mosha në të cilën jam prej 85 viteve, më jep të drejtë morale, që t’i ftoj kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin Albin Kurti të takohen si sot, më shpesh. Të takohen qeveritë e tyre, të mbajnë mbledhje qeveritë e tyre të kryeministruara prej tyre. Në këto takime, në mbledhjet e tyre, të bëjnë, të njësojnë, një ideal të përbashkët, që na e ka lënë epoka më e madhe e historisë shqiptare, epoka e rilindjes shqiptare, të cilët kanë thënë “Si të krijojmë Shqipërinë dhe si të krijojmë shqiptarin”. Të njësojnë idealet, qëllimet e tyre politike. T’i kontribuojnë një vlere jashtëzakonisht të madhe që është quajtur e quhet kohezion i një populli, kohezion shpirtëror, shoqëror, moral, kombëtar.

Historia na ka mësuar se kur e arrin këtë kohezion, popujt, shtetet, gjithmonë kanë dalë fitimtar. Me kohezionin e kanë mundur armikun, e kanë arritur qëllimin. Kohezioni përmban fuqinë e një populli. Me kohezion ne do arrijmë të mënjanojmë një varkë pengesash, rreziqesh, që i kemi pësuar dikur pasojat e tyre. Disa rreziqe, provokime, sfida të ndryshme, që na ngasin edhe sot. Unë uroj që këta të punojnë e të kontribuojnë me politikën e tyre, me njësimin e idealeve dhe qëllimeve të tyre, t’i kontribuojnë këtij kohezioni, të bindur se me këtë kohezion ata do t’i realizojnë më lehtë qëllimet e tyre për zhvillimin politik, shoqëror, arsimor, kombëtar “ tha Profesor Qosja.

By H P

One thought on “Mesazhi i Rexhep Qosjes, për kryeministrat shqiptar”

Leave a Reply

Your email address will not be published.