Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka kritikuar ashpër ritikuar ashpër pjesëmarrjen e sotme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Forumin për Bashkëpunim Rajonal në Shkup, ku ishin edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Abazi e ka quajtur Ramën kolaboracionist, duke thënë se po punon sipas planeve ekspansioniste të Serbisë.

“Nënshkrimet e Edi Ramës sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë. Me këto marrëveshje, Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin”, thuhet mes tjerash në një reagim të Abazit në Facebook.

Ai e ka lidhur këtë forum edhe me Konferencën e Londrës, fiks 108 vjet më parë, kur u copëtuan tokat shqiptare.

“Në Konferencën e Londrës, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për t’i njohur Shqipërisë së pavarur vetëm gjysmën e territorit të saj, duke lënë jashtë kufijve mbi 40% të popullit shqiptar, nën trysninë e Serbisë dhe Greqisë. Vendimet e asaj konference krijuan një padrejtësi historike që populli shqiptar e vuan sot e kësaj dite. Sot, 108 vite më vonë, më 29 korrik 2021, pa presionin e ambasadorëve, KM Edi Rama po nënshkruan kokë më vete nën trysninë dhe joshjen nga Serbia, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe KM e RMV Zoran Zaev, marrëveshje ekonomiko tregtare që e vendosin Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e ‘Zonës së Novi Sadit’ (Mini-Shengenit që po i ndryshojnë emrin, por jo përmbajtjen)”, ka shkruar më tej Abazi.

Sipas tij, me këto nënshkrime, Edi Rama ka shkelur të drejtat e Kosovës dhe të mbarë kombit.

“Nuk e dimë kush ia ka propozuar Ramës datën 29 korrik për këto marrëveshje, por datë më domethënëse nuk mund të gjente!”, ka shkruar ai.

Kosova nuk e përkrah këtë nismë, sikurse as Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina.

Qëllimi i “mini-schengenit”, sipas nismëtarëve të tij, është qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave.

Abazi është një prej përfaqësuesve më të lartë të Vetëvendosjes në Shqipëri.

By UH

5 thought on “Boiken Abazi e quan kryeministrin Rama kolaboracionist”

Leave a Reply

Your email address will not be published.