Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të enjten, me shumicë votash kanë miratuar vendimin për lirimin nga pagesa e taksave për biznese si dhe të shfrytëzimit të hapësirës publike komunale, për periudhën janar-shkurt dhe shtator-dhjetor 2020. Vlera e këtyre lehtësimeve të fundit për biznese për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, sipas zyrtarëve përgjegjës kap shumën prej 450 mijë eurove.

Me vendimin e së enjtes të KK të Prizrenit, zgjerohet lirimi i bizneseve nga pagesa e taksës dhe e shfrytëzimit të hapësirës publike për tërë vitin 2020.

Para kuvendarëve, drejtoresha për Financa, Leonora Çerreti ka shpjeguar se vjet për shkak të ndikimit negativ të pandemisë ishte marrë vendimi që të lirohen nga pagesa shfrytëzuesit e hapësirës publike, ku kanë qenë të përfshira të gjitha lokalet, si dhe tavolinat, barakat dhe kiosqet.

“Propozimi ynë është që ta zgjerojmë këtë vendim, dhe të lirohen nga pagesa shfrytëzuesit e hapësirës publike. Në këtë vendim përjashtohen vetëm qiratë e lokaleve, ku për ato vlen vendimi i vitit të kaluar për periudhën mars-gusht. Kurse tani po propozojmë që tezgat, tavolinat, karriget dhe kiosqet të lirohen edhe për periudhën që ka mbetur, për periudhën janar-shkurt dhe shtator-dhjetor 2020, si dhe lirimi të bëhet për pjesën tjetër të taksës komunale që ju ngarkohet bizneseve. Vlera totale e këtyre lirimeve për tavolinat, kiosqe dhe tezga është 164 mijë euro. Kurse lirimi për taksa për biznese për ushtrimin e veprimtarisë arrin vlerën 287 mijë euro. Si total lirimi është 451 mijë euro”, ka thënë ajo.

Por shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Simir Krasniqi ka theksuar se para vetes ka 2 propozim-vendime që dallojnë nga njëra-tjetra.

“Në propozim vendimin e parë, shkruan: Me këtë vendim, për të gjitha bizneset në Komunën e Prizrenit, bëhet lirimi nga pagesa e qirasë për lokalet që janë pronë komunale, bizneset që e shfrytëzojnë hapësirën publike komunale (tavolinat, karriget, barakat, kiosqet, dhe tezgat), për periudhën janar-shkurt dhe shtator-dhjetor 2020. Kurse neve na është sjellë propozim vendimi i ndryshuar ku thuhet: bëhet lirimi nga pagesa për të gjitha bizneset në Komunën e Prizrenit, që e shfrytëzojnë hapësirën publike komunale (tavolinat, karriget, barakat, kiosqet, dhe tezgat), për periudhën janar-shkurt dhe shtator-dhjetor 2020. Domethënë mungojnë lokalet”, ka deklaruar Krasniqi, teksa ka kërkuar që propozim-vendimet që vijnë nga Komitetit për Politikë e Financa në Kuvend, mos të pësojnë ndryshime. “Ne jemi për t’i ndihmuar bizneset, përfshirë edhe lirimin e qirasë”, është shprehur ai.

Me këto konstatime është pajtuar edhe kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj, i cili ka ftuar drejtoreshën e Financave që të jap sqarime.

Drejtoresha Çerreti ka theksuar se për shkak të gabimit teknik është përfshirë qiraja e lokaleve, por se qëndrimi i Ekzekutivit është që bizneset të lirohen nga pagesa e taksave dhe shfrytëzimi i hapësirës publike për vitin 2020, derisa lirimi i pagesës së qirasë të mbetet vetëm për periudhën 6 mujore.

Ndërkohë Haziz Hodaj i LDK-së ka propozuar që vendimi për lirim nga pagesa të përfshijë edhe 6 mujorin e parë të vitit 2021, meqë pandemia po vazhdon.

Në anën tjetër kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka pohuar se vendimi për 6 mujorin e këtij viti nuk mund të merret tani meqë lokalet që janë në pronësi komunale do të vihen në ankand, dhe “nëse tash merret vendim për lirim, atëherë mund të bëhet kaos”.

Ai ka theksuar se kjo çështje mund të shqyrtohet në qershor të këtij viti. Në të njëjtën kohë ka sqaruar se qiratë për lokalet në pronësi komunale janë liruar për 6 muaj dhe se vazhdimi i lirimit për tërë vitin 2020 mund të krijojë pabarazi në treg.

“Nëse e heqim krejt qiranë, po krijojmë konkurrencë jolojale”, ka thënë ai, duke kërkuar kujdes në këtë drejtim.

Getoar Besimi i PDK-së është pajtuar me argumentet e kryetarit, por ka kërkuar që në KK të vijnë propozim-vendimet e sakta. Edhe Hodaj i PDK-së është pajtuar me arsyetimin e kryetarit, duke theksuar se qëllimi i propozimit të tij ka qenë vetëm shkurtimi i procedurave.

“Por mund të jetë një vendim tjetër”, ka thënë ai.

Pas diskutimeve është hedhur në votim propozim-vendimi pa qiratë e lokaleve dhe është miratuar me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

Ndikimi i pandemisë në ekonominë lokale të Prizrenit sipas përfaqësuesve të bizneseve të kësaj komune ka qenë mjaft i rëndë, me ç’rast janë dëmtuar pothuajse të gjitha veprimtaritë. Javë më parë ata patën konsideruar se humbjet e bizneseve kanë qenë të mëdha gjatë vitit 2020, pasi në pjesën më të madhe të vitit janë zbatuar masat kufizuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

By UH

119 thought on “Bizneset e Prizrenit lirohen nga taksa dhe pagesa e shfrytëzimit të hapësirës publike për vitin 2020”

Leave a Reply

Your email address will not be published.